Tirana mirëpret këtë të mërkurë nisjen e festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”, një aktivitet që synon të vendosë në qendër të vëmendjes krijimtarinë muzikore shqiptare, nga trashëgimia e kompozitorëve të njohur deri te veprat e reja të muzikës akademike.
I organizuar nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP), festivali do të zhvillohet nga 11 nëntori deri më 5 dhjetor 2026, me një program që përfshin koncerte, premiera, takime dhe konferenca artistike.
Koncerti i hapjes mbahet më 11 nëntor 2026, në orën 19:00, në hollin koncertor të TKOBAP-së. Ai do t’u kushtohet veprave fituese të konkursit kombëtar “Tish Daija”, duke sjellë në skenë krijime të kompozitorëve Hajg Zaharian, Maksim Shehu, Ajet Çekiçi, Ylli Ramzoti dhe Niko Boçi.
Programi do të përmbyllet me veprën “Kuartet Harqesh” të kompozitorit Tish Daija, një prej figurave të rëndësishme të historisë së muzikës shqiptare, emrin e të cilit mban edhe konkursi.
Përtej dimensionit koncertor, festivali synon të krijojë një hapësirë dialogu ndërmjet brezave të kompozitorëve dhe interpretuesve nga Shqipëria dhe Kosova, duke ndërthurur promovimin e krijimtarisë bashkëkohore me rivlerësimin e repertorit muzikor shqiptar.
Me një kalendar që shtrihet përgjatë disa javëve, “Netët e Muzikës Shqiptare” synojnë t’i ofrojnë publikut mundësinë për t’u njohur me autorë, vepra dhe interpretime që përfaqësojnë periudha të ndryshme të zhvillimit të muzikës shqiptare.
Biletat për koncertin e hapjes ofrohen pranë biletarisë së TKOBAP-së. Ditën e shfaqjes, orari i publikuar është 10:00–14:00 dhe 16:00–19:30.




Komentet